Secondary Adv

Ligji për mjedisin/ Krijohet fondi i ri për projektet, financimi deri në 100 për qind

Botohen ndryshimet në ligjin për mjedisin, që parashikojnë krijimin e Fondit Kombëtar të Mjedisit për financimin e projekteve përmes granteve dhe subvencioneve.

Skema e re do të mundësojë financimin deri në 100% të kostove të miratuara të projekteve, ndërsa efektet financiare do të fillojnë nga 1 janari 2027.


Përveç financimit të projekteve mjedisore, ligji prezanton certifikimin e largimit të karbonit, përfshin restaurimin e natyrës në kuadrin ligjor dhe përcakton më qartë përgjegjësitë e ministrisë në mbrojtjen e mjedisit.


Sipas dispozitave të miratuara, Fondi Kombëtar i Mjedisit do të funksionojë si një fond financiar publik pranë ministrisë përgjegjëse për mjedisin. Burimet e tij do të jenë buxheti i shtetit, si dhe financimet vendase apo të huaja, ndërsa administrimi do të rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave.


Ndryshimi kryesor lidhet me mënyrën e financimit. Ligji përcakton se mbështetja financiare do të jepet në formën e granteve, subvencioneve ose instrumenteve të tjera financiare, për projekte dhe veprimtari që lidhen me mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit.


Nga kjo skemë mund të financohen projekte të paraqitura nga organizata jofitimprurëse dhe individë që kanë në objekt të veprimtarisë së tyre fushën e mjedisit, si dhe projekte të propozuara nga vetë ministria apo agjencitë e saj të varësisë.


Ligji parashikon gjithashtu financimin e projekteve me buxhet që arrin mbi 50% të fondit vjetor të destinuar për projekte mjedisore. Për këto raste, kriteret dhe procedurat e financimit do të miratohen nga Këshilli i Ministrave.


Projektet do të përzgjidhen nga një komision me pesë zyrtarë


Dispozitat ligjore parashikojnë një mekanizëm të posaçëm për përzgjedhjen dhe miratimin e projekteve që do të financohen nga fondi.


Sipas ligjit, do të ngrihet një komision i përbërë nga pesë nëpunës të administratës publike, të nivelit të lartë dhe të mesëm, të cilët drejtojnë strukturat përgjegjëse për mjedisin në ministri. Anëtarët e komisionit do të caktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për mjedisin.


Komisioni do të përzgjedhë dhe klasifikojë projektet, bazuar në parimet e mbrojtjes, ruajtjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm të mjedisit, si dhe do t’i propozojë ministrit projekte apo veprimtari për financim. Vendimin përfundimtar për miratimin e tyre do ta marrë ministri.


Në këtë mënyrë, ligji përcakton një procedurë të veçantë për dhënien e mbështetjes financiare përmes fondit, ku projektet vlerësohen nga komisioni dhe miratohen nga ministri.


Kriteret dhe afatet e aplikimit për financimin e projekteve të organizatave jofitimprurëse, individëve dhe institucioneve të varësisë do të përcaktohen me udhëzim të ministrit, ndërsa funksionimi i komisionit do të rregullohet nga një rregullore e miratuar prej tij.


Certifikatë për bizneset që largojnë karbonin, masa të reja për restaurimin e natyrës


Përveç financimit të projekteve, ndryshimet ligjore prezantojnë edhe certifikatën e largimit të karbonit. Kjo certifikatë do t’u jepet personave fizikë dhe juridikë që gjatë aktivitetit të tyre largojnë, mbledhin dhe depozitojnë karbonin në produkte. Ajo do të shërbejë si një formë njohjeje për këto veprimtari, ndërsa kriteret, procedurat e aplikimit dhe vlefshmëria do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.


Ndërkohë, ligji prashikon se masat konkrete për përfshirjen e restaurimit të elementeve të natyrës do të miratohen nga qeveria, me propozimin e ministrit përgjegjës për mjedisin.


Ligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa efektet financiare nisin më 1 janar 2027. Zbatimi i skemës së re të financimit do të varet nga miratimi i rregullave për administrimin e fondit, kriteret e përzgjedhjes së projekteve dhe burimet financiare që do të vihen në dispozicion çdo vit.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat